Nënshkruhet Memorandumi i bashkëpunimit me Shërbimin Federal për Akreditim të Federatës Ruse

Instituti për Akreditim i Republikës së Maqedonisë (IARM) nënshkroi Memorandum mirëkuptimi me Shërbimin Federal për Akreditim të Federatës Ruse. Memorandumi është nënshkruar gjatë seancës së tetë të Komisionit Ndërqeveritar Ruso-Maqedonas për Bashkëpunim Tregtar-Ekonomik dhe Shkencor-Teknik, të mbajtur më 29 dhe 30 shtator të vitit 2014 në Kaliningrad, Federata Ruse. Seancën e kryesuan zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë dhe ministër i financave z. Zoran Stavreski dhe zëvendësministri i drejtësisë i Federatës Ruse z. Maksim Travnikov. Grupet e punës të delegacioneve të larta ndërqeveritare diskutuan për disa tema të rëndësishme me interes të përbashkët, si: – drejtimet dhe perspektivat kryesore të zhvillimit të bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik ndërmjet dy ekonomive, energjetikës, transportit, bujqësisë dhe bashkëpunimit ushtarako-teknik. Veçanërisht u mirëprit nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet organizmave kombëtare të akreditimit të Republikës së Maqedonisë dhe Federatës Ruse. Nënshkrimi i këtij Memorandumi është shprehje e vullnetit të mirë të nënshkruesve për vendosjen e bashkëpunimit informativ, analitik dhe organizativ në fushën e akreditimit, në përputhje me dokumentet përkatëse të organizatave ndërkombëtare dhe rajonale të akreditimit. Drejtimet kryesore të bashkëpunimit janë shkëmbimi i përvojave dhe informacioneve lidhur me akreditimin e organizmave për vlerësimin e konformitetit, shkëmbimin e vlerësuesve, organizimin e trajnimeve, punëtorive, seminareve dhe konferencave me tematikë për çështje me interes të përbashkët, forcimi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy ekonomive, në veçanti përmes eliminimit të barrierave teknike në tregti nëpërmjet procesit për vlerësimin e konformitetit. Në të njëjtën kohë, me nënshkrimin e Memorandumit, IARM zgjeron bashkëpunimin bilateral, i cili si synim është i përfshirë edhe në Programin vjetor të punës së IARM-së në vitin 2014 dhe është pjesë përbërëse e strategjisë për bashkëpunim efektiv me organet kombëtare të akreditimit në mbarë botën. .

Gjithashtu, në kuadër të sesionit u organizua dhe u mbajt një seminar me temën “Harmonizimi i sistemeve kombëtare të akreditimit të vendeve nga rajoni euroaziatik”, ku morën pjesë përfaqësues të organeve akredituese nga Rusia, Bjellorusia, Kazakistani, Kirgistani, Moldavia dhe Armenia. Në seminar, drejtori i IARM-së, dr. Trpe Ristoski, pati një prezantim të veçantë në të cilin e prezantoi sistemin kombëtar për akreditim në Republikën e Maqedonisë, në të cilin u promovua video-materiali promovues për punën e IARM-së.