Nën moton Akreditimi: “Përkrahja e së ardhmes së tregtisë globale”, me një ceremoni adekuate më 9 qershor të vitit 2023, Instituti i Akreditimit i Republikës së Maqedonisë së Veriut (IARMV) shënoi Ditën botërore të akreditimit dhe 20 vjetorin e ekzistencës dhe punës së tij.
Në manifestim morën pjesë mysafirë të shumtë – përfaqësues të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ministrisë së Ekonomisë, sektorit publik dhe privat, institucioneve shkencore dhe arsimore, institucioneve shëndetësore, bashkëpunëtorë, përfaqësues të organeve të vlerësimit të përputhshmërisë dhe përfaqësues të mediave.
Në kontekst të motos së sivjetme, manifestimi u përshëndet nga:
– Znj. Razmena Çekiq-Durlloviq – Sekretare e Shtetit në Ministrinë e Ekonomisë,
– Z. Mihajlo Evrosimovski, përfaqësues i Unionit të Odave Ekonomike të Maqedonisë dhe anëtar i Këshillit të Institutit.
– Prof. dr. Davor Zvizdiq – kryetar i Shoqatës kroate të laboratorëve KROLAB dhe kryetar i Komitetit Teknik për Cilësi në EURAMET dhe
– Z. Slloboden Çokrevski – Drejtor i IARMV-së.
Para audiencës së madhe, Prof. dr. Davor Zvizdiq mbajti ligjëratë profesionale me temë “Infrastruktura për vlerësimin e cilësisë dhe përputhshmërisë “.
Në kuadër të ceremonisë u promovuan: botimi i rregullt i Buletinit për vitin 2022, i cili, me rastin e njëzet vjetorit të themelimit dhe punës së Institutit, përmban një përmbledhje të datave dhe hapave më të rëndësishëm në zhvillimin dhe punën e IARMV-së, u promovua një broshurë dhe video material me temën e motos së këtij viti, u promovuan broshurat e dedikuara për akreditimin ISO 37001 dhe ISO 27001 dhe u prezantuan planet e zhvillimit të Institutit.
Tradicionalisht, në ceremoni u dorëzuan certifikatat e organeve të akredituara dhe të riakredituara të vlerësimit të përputhshmërisë në periudhën qershor 2022 – maj 2023.
Në fund, me rastin e 20 vjetorit të IARMV-së, iu ndanë pllaketa organeve të akredituara për vlerësimin e përputhshmërisë, në përbërje të të cilëve punojnë organe të akredituara për vlerësimin e përputhshmërisë sipas skemave të ndryshme të akreditimit, bashkëpunëtorëve dhe disa punonjësve të IARMV-së, të cilët morën pjesë në zhvillimin dhe ndërtimin e Institutit, si i vetmi organ kombëtar akreditues në vend.